Komisioni për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacionet me karakter publik, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup, sot do ta shënojë 28 shtatorin, Dita ndërkombëtare për qasje univerzale në informacione, që në mënyrë tradicionale zhvillohet nën moton “Kam të drejtë të di”.

Për këtë qëllim në hotelin Holidej Inn në Shkup, në kuadër të aplikacionit universal “Bashkëpunim trevjeçar dhe aktivitete për Komisionin” me Misionin e OSBE-së në Shkup, do të mbahet punëtori me temë: “E drejta për qasje të lirë në informacionet me karakter publik – përvoja të deritanishme nga zbatimi i Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik”.

Qëllimi i punëtorisë është ngritja e vetëdijes publike dhe shkallës së njohjes së personave zyrtar të cilët nuk kanë qenë në trajnim, e drejtpërsëdrejti marrin pjesë në zbatimin e Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik, obligimet të cilat dalin nga ai, si dhe mënyrën e realizimit të të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik.